Shehi e ndjen veten në Champions, sikur është përballë Skënderbeut të tij të dikurshëm!

Ai dhe ekipi i tij e ndjenë mungesën e përvojës në kontinent. Tirana po punon për ndeshjen e kthimit në Champions ndaj Dudelanzhit të Luksemburgut e ndërgjegjshme se kundërshtari ka më shumë eksperiencë, por edhe pa zgjedhje tjetër përveçse që ta provojë të kualifikohet. Trajneri Orges Shehi, thotë sesi duhet të luajë Tirana në ndeshjen e nesërme pas humbjes 0-1 jashtë fushe. “Duhet të dalim në lojën tonë, – shprehet ai, – e njohim kundërshtarin ndryshe nga ndeshja e parë. Nëse do ta bëjmë lojën tonë, mendoj se do të dalim të kënaqur nga ndeshja”.

Gjithsesi, Shehi e di se mungesa e përvojës mund të jetë problem për ekipin. “Duhet të kesh disa vjet në Europë për të luajtur ndeshjet siç duhet, – thotë ai, – Dudelanzhi ka qenë shpesh në kupat europiane këto kohë, ka arritur dy herë grupet. Njëlloj siç kemi qenë ne me Skënderbeun. Tirana sot nuk e ka këtë”. Si e ka motivuar Shehi skuadrën bardheblu, ndërsa ai vetë ka përvojë të madhe si lojtar në Europë? “Lojtarëve u kam thënë që ta shijojnë pjesëmarrjen në Champions, – shprehet ish-portieri, – është kënaqësi e madhe të jesh në Europë. Kjo është kryesorja”.

Sfidanti.al