Tuhel mes Brojës dhe Ronaldos: Nuk do t’i them tifozëve se çfarë do të bëjmë!

Golat e tij nuk janë harruar dhe kartoni i tij po peshon gjithnjë e më shumë. Mediat kryesore britanike i kanë bërë vend të rëndësishëm të ardhmes së Armando Brojës, dhe tabloidi “Deili Meil” analizon se sulmuesi shqiptar mund t’i bëjë punë disa klubeve. Të paktën 3 prej tyre mund të zgjidhin problemet duke pasur 20-vjeçarin në skuadër. Ish-trajneri i tij, Frenk Lampard, e dëshiron tek Evertoni sepse nga ekipi është larguar sulmuesi kryesor, Risharlison. Braziliani ka kaluar tek Totenhemi duke lënë një boshësi të madhe në repartin ofensiv. Tekniku i Uest Hemit, Dejvid Mojes synon që Broja të bëhet krahu i djathtë i sulmuesit kryesor të skuadrës, Majkëll Antonios, i cili vërtet ka rinovuar kontratën, por duket tepër i vetmuar përballë mbrojtjeve kundërshtare.

Së fundi, është edhe vetë Çelsi, klubi që zotëron kartonin e futbollistit të kombëtares shqiptare, dhe që e mendon atë si një pasardhës të mundshëm të Romelu Lukakut. Gjigandi belg u largua i huazuar tek Interi, dhe blutë e Londrës ende nuk e kanë zëvendësuar, me brazilianin e Lidsit, Rafinja, që pritet të shkojë tek Barcelona. Gjithsesi, Broja nuk ishte në aeroplanin që dërgoi skuadrën e Çelsit për në Los Anxhelos në turneun amerikan, e lajmet janë që londinezët mund të marrin Kristiano Ronaldon. Vetë trajneri Tuhel e shtoi misterin kur iu përgjigj një tifozi se “nuk do të ta tregoj ty”, kur u pyet për Ronaldon. Për Brojën mendojnë edhe Njukasëlli apo Napoli, ndërsa kartoni i tij mund të arrijë mbi 30 milionë paundë stërlina.

Sfidanti.al