A do ta përmbysë Tirana në mbrëmje ekipin luksemburgas të Dudelanzhit ? Në fakt, Tirana duhet të përmbysë Tiranën, atë që nuk e gjetëm dot në tokën e luksit. Në ndeshjen e parë , ekipi ynë luajti me maskë në fytyrë, tamam në Luksemburg, ku gjysmën e parë, Luksin e mbajti për vete Dudelanzhi, ndërsa ..Burgun ia la Tiranës! Nuk e kishim parë , as nuk e kishim menduar se Tirana do të shkonte në portën e kundërshtarit gati vetëm një herë!
Dhe në këto momente, kur të gjithë e kanë “harruar” si me porosi ndeshjen e parë, pasi paska qënë vetëm nxemja, sepse ndeshja e dytë.. do të jetë një histori krejt tjetër. Pale po të besosh bëmën që premtohet, sikur në një “ring” prej 10 apo 12 mijë tifozësh, fjala është për Air Albanian, Tirana do t’i lëshohet me aq vrull kundërshtarit, ku nokauti do te jetë i vetmi shpetim . Si për t’i treguar se herën e parë , ata nuk e kuptuan gjasmen tone…
Ç’është ky Dudelanzhi? Një kundërshtar që nuk flet shumë, duket tejet modest, rrezikshëm i kamufluar, edhe pse do të kishte më shumë të drejtë morale për ato që ka bërë vitet e fundit në Europë. Dhe ata e thonë se në Tirana do të jetë ndryshe këtë herë, por frika e tyre nuk ndalon as tek Seferi, as tek i gjithë kundërshtari, që luan brenda në shtëpi, madje as tek tifozeria që këtë herë pritet të “shënojë” golat e përmbysjes . Për sa gola flitet? Po të besosh “kishën e topit”, pra studiot e TV-së, diku flitet për një fitore “modeste” me 2 gola, diku tjetër ia hapin më shumë grykën thesit të golave. Nuk dihet ku do të ndalojnë golat, por një gjë dihet me siguri: Tirana nuk e luan dot ndeshjen e dytë, aq gabimisht sa të parën…
Sfidanti.al