Ferrari e bën dramë edhe kur fiton, ç’po ndodh me “kokëkuqen”?!

Kampionati është padyshim i hapur sepse 38 pikë nuk janë asgjë, kur ka ende shumë gara për t’u zhvilluar. E pra Ferrari dhe Sharl Lëklerku mund të kenë besim se mund ta mposhtin Maks Verstapenin dhe Red Bullin e tij, sidomos pas fitores në Austri, por gjithsesi ajo që ndodhi në pistë krijoi edhe shumë dyshime. Vërtet Lëklerku doli i pari dhe pati epërsi ndaj holandezit, por sërish u kthyen makthet e garave të kaluara, për shkak të mungesës së besueshmërisë së makinës. Karlos Sainz desh “u dogj” nga flakët kur motori i tij ia bëri “bam”, ndërsa përgatitej të parakalonte Verstapenin e të dilte në vend të dytë. Në xhirot e mbetura, Lëklerku humbi shumë sekonda si dhe xhiron më të shpejtë, pasi Ferrari i tij pati defekte në pedalin e gazit dhe në ndërrimin e marsheve. Gjithsesi, ishte e bukur fitorja e parë pas 8 garave që nga Melburni. Verstapen kryeson Botërorin e Formula 1 me 208 pikë ndaj 170 të ferraristit, ndërsa në vend të tretë është Sergio Perez i Red Bullit me 151 dhe i katërti Karlos Sainz i Ferrarit me 133.

Sfidanti.al