Ribakina ishte makthi i Uimbëlldonit: Vajza moskovite turpëroi anglezët!

Mediat ruse shkruanin se ajo ishte makthi i Londrës. Sa më shumë i afrohej finales Jelena Ribakina, aq më shumë rritej shqetësimi që një teniste e lindur në Rusi nga prindër rusë, mund të fitonte Uimbëlldonin. Ëndrra më e keqe e organizatorëve u bë realitet pasi vajza 23-vjeçare triumfoi në Arenën qendrore londineze duke marrë trofen më të vjetër dhe më të shquar në këtë sport. Ribakina mundi 2-1 në finale me përmbysje rivalen nga Tunizia, Ons Zhaber, me rezultatin e setev 3-6, 6-2 e 6-2. Jelena përfaqëson Kazakistanin, madje që nga viti 2018, kur federata e atij vendi i ofroi mbështetje financiare, kur askush në Rusi nuk besonte tek ajo.

“Unë nuk arrij që ta besoj, – tha Ribakina, – ndoshta pas pak ditësh do të jem më e qetë dhe do ta kuptoj se çfarë kam bërë. Mund të them vetëm që jam shumë krenare që ia dola. Unë përfaqësoj Kazakistanin prej shumë vitesh. E kam përfaqësuar në turne të tjerë, në Lojrat Olimpike, që ishte një ëndërr që u bë realitet për mua. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.

Tabloidi “San” (The Sun) komenton se Vajza e lindur në Moskë, Ribakina fitoi Uimbëlldonin, duke i turpëruar organizatorët që ndaluan tenistët rusë. Tabloidi tjetër “Deili Meil” (Daily Mail) i bën jehonë protestës së tifozëve: “Ajo jeton në Moskë, prindërit e saj jetojnë në Moskë, ajo është ruse!” Në rrjetet sociale jehona ishte me dy presa, nga njëra anë tifozë që shkruanin se pavarësisht përpjekjeve të Uimbëlldonit për të ndaluar rusët, një ruse doli fituese.  Ajo ka lindur në Moskë, jeton në Moskë, stërvitet në Moskë, – ishte një koment.

Mediat ruse, siç bën “Sport Ekspres” i Moskës, theksuan se një vajzë e lindur në Rusi fitoi Uimbëlldonin pa rusë, se ajo ishte “makthi” i Uimbëlldonit, por duke bërë pyetjen: Kush nuk i besoi Jelenës në Rusi, a mund ta kishin mbajtur që të mos shkonte në Kazakistan?!

Sfidanti.al