Qirios është një djalë i keq, por le ta duartrokasim që sfidoi rregullat e mykura të Uimbëlldonit

Në Klubin Gjithëanglez (All England Club) duket sikur koha ka ndalur. Ritualet dhe ceremonialet e dikurshme mesjetare nuk dëshirojnë ta braktisin Uimbëlldonin edhe pse Grand Slemi më i dëgjuar i tenisit luhet në epokën moderne. Një nga rregullat që kanë zënë myk nga shekuj pandryshimi është kodi rreptësisht i përcaktuar i veshjes, të cilin tenistët nuk duhet ta shkelin ndonëse për opinionin thuhet se jetojmë në demokraci ku njeriu ka të drejtë të zgjedhë për vete atë që i pëlqen.

Gjithsesi, ja ku erdhi një djalë me të vërtetë i keq në sjellje, por që krijoi një precedent për të ndryshuar historinë. Nik Qirios, tenisti nga Australia, por me origjinën dhe “kokëkrisjen” ballkanase e greke, doli në Arenën qendrore të Uimbëlldonit i veshur me kapele të kuqe dhe atlete gjithashtu të kuqe. Tradita londineze e do që e gjithë veshja të jetë e bardhë (All White) diçka që nuk e kanë sfiduar as të tillë si Xhon Mekinro, Boris Beker, Rafael Nadal apo Novak Gjokoviç. Jehona ishte e madhe, por gjithsesi jetojmë vërtet në kohë më të lira se më parë, pasi e gjitha do të jetë një “stuhi në gotë”. “Unë bëj atë që dua”, – tha Qiriosi pa iu bërë vonë aspak.

Sfidanti.al