Futbolli kërkon kthimin e basteve, edhe pse e di se nuk do të ketë “kthim të parave”!

Më qartë, edhe në kohën “e artë” kur bastoret kishin mbirë si kërpudha në të gjitha anët, në Tiranë e gjithë vendin, edhe kur shteti fitonte prej basteve sportive, sërish për sportin dhe futbollin nuk është se dilte gjë. Pak ditë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit mblodhi një tryezë kur diskutoi sërish për kthimin e basteve sportive që sot për sot janë jashtë ligjit, por duke mos pasur asnjë garanci, madje asnjë shpresë, se këtë herë do të jetë ndryshe nga “atëherë”. Ta zemë, se kryeministri Rama e ndryshon ligjin dhe lejon sërish veprimtarinë e kompanive të basteve sportive, fizikisht dhe onlajn, por që sërish mund t’i mbajë paratë për vete? Mendohet se me një tryezë apo edhe një bojkot mund të kthejë mendjen zoti Rama? Apo ndoshta bojkoti përdoret për tjetër gjë! Nga ana tjetër, siç thotë Prof. Dr. Artan Shyti, nëse sporti ndihmohet me bastet sportive dhe me taksë nga duhani, mund të përfitojë deri në 20 milionë euro në vit. Duke e ditur sesi është gjendja tek ne, mbetet të themi se “gjellët për pasanikë” do t’i shohim vetëm në ëndërr.

Sfidanti.al