Çfarë Gjokoviçi do të jetë këtë sezon në barin e Uimbëlldonit?!

Fitorja e parë u arrit, ndoshta me shifra normale 3-1, por padyshim shumë më e vështirë sesa pritej apo mendohej prej tij. Novak Gjokoviç kaloi koreanojugorin Sun Vu Kuon, numrin 81 të botës, me rezultatin 6-3, 3-6, 6-3, 6-4, duke humbur setin e dytë e duke qenë në prag të humbjes së shërbimit kur gjërat ishin 2-2 në setin e tretë. Tenisti serb, 20 herë fitues i Grand Slemeve, ka pasur një 2022 tepër të vështirë, i vendosur nën presion nga mediat perëndimore për shkak të refuzimit të tij për t’u vaksinuar, dhe i ndaluar për të luajtur në Australian Open. Kjo gjë mund t’i ndodhë edhe në US Open, ndaj edhe turneu tjetër që ai mund të ketë pas Uimbëlldonit, është “Rolan Garosi” në 2023! Një situatë të cilën ai nuk e ka provuar kurrë më parë, ndërsa nuk ka shumë ndeshje në dispozicion këtë vit, dhe sidomos shumë pak përgatitje në bar. Të shohim nëse do t’ia dalë për të marrë Grand Slemin e këtij vitit në Londër, ku nuk humbet që nga viti 2017!

Sfidanti.al