Ia arriti qëllimit dhe e hodhi hapin e parë të rëndësishëm. Matvej Petrov është vërtet një nivel shumë i lartë cilësor, sidomos për sportin shqiptar, dhe ja ku e vërtetoi këtë duke u kualifikuar për në finalen e turneut të gjimnastikës artistike në Lojrat Mesdhetare. Gjimnasti shqiptaro-rus kaloi me sukses gjysmëfinalet duke siguruar vendin mes 8 më të mirëve në turnerun që po zhvillohet në Oran të Algjerisë. Sportisti 31-vjeçar vazhdon të mos e ketë problem moshën, ndërsa mori vlerësimin 13.95 pikë në disiplinën e tij të preferuar të kalit me doreza. Finalet e kësaj kategorie zhvillohen nesër. Rusi ka më shumë se 1 vit e gjysmë që përfaqëson Shqipërinë dhe kulmin e arriti në Europianin e dhjetorit të vitit 2020, kur u shpall kampion i kontinentit duke fituar medaljen e artë. Ky mbetet rezultati më i lartë i gjimnastikës shqiptare në të gjithë historinë e saj, i siguruar nga një “import” nëse mund të themi kështu. Petrov doli në vend të 10-të në Lojrat Olimpike në Tokio verën e kaluar, ndërsa ka fituar edhe një medalje ari në Kupën Botërore të Sfiduesve në Kroaci.
Sfidanti.al