Dy ndeshje të kampionateve elitë u luajtën sonte në Europë. Në Premier Ligë shkëlqeu Leiçesteri post-Ranieri, ndërsa në Serinë A, Torino arriti të merrte një pikë në fushën e Fiorentinës. Në Angli, tifozët vërshuan në stadium me maskat e Klaudio Ranierit në fytyrë, dhe me parullat pro ish-trajnerit, ndonëse më pas brohoritën skuadrën e tyre. Leiçesteri, ndryshoi për mirë pas largimit të italianit, të paktën për një ndeshje duke mundur 3-1 një Liverpul “pa busull”.
Xhemi Vardi dhe Daniel Drinkuotër shënuan në pjesën e parë për vendasit, dhe Xhemi Vardi realizoi edhe pas pushimit (60’). Në rezultatin 0-3, të besuarit e Klopit arritën të reagonin dhe të shkurtonin diferencën me anë të Filip Kutinjos, por pa bërë më shumë se kaq. Leiçester i largohet disi zonës së rrezikshme që të zbret nga kategoria, ndërsa Liverpuli rrezikon shumë të mbetet jashtë Championsit sezonin e ardhshëm.
Në Itali, nuk ishte një mbrëmje shumë e mirë për Arlind Ajetin. Mbrojtësi i kombëtares ishte në fushë që nga minuta e parë për Torinon, por në përfundim të pjesës së parë me fitoren 2-0 të Fiorentinës, trajneri Mihajloviç e zëvendësoi. Rikardo Saponara dhe Nikola Kaliniç shënuan për vendasit në Firence. Torino nuk u dorëzua, edhe pse Andrea Beloti humbi penallti në 62’. Vetë Beloti shënoi në 65’ dhe barazoi shifrat pesë minuta para përfundimit, ndonëse Fiorentina mund të ankohet për rastet e shumta të humbura. Fiorentina është e 8-ta në Serinë A me 41 pikë, Torino në vendin e 9-të me 36.
Sfidanti.al