Shprehja origjinale i takon Zhoze Murinjos, në konferencën e tij të parë për shtyp tek Çelsi, në verën e vitit 2004. “Çelsi ka gjysmë shekulli ka fituar titullin kampion, ndërsa unë vij si kampion i Europës, – tha portugezi, – a nuk jam i veçantë?” Fjala “i veçantë”, që në anglisht do të thotë “Special One”, mori dhenë dhe u bë sinonim i Zhozesë. Papritur kjo shprehje doli nga goja e dikujt tjetër.
“Unë jam i veçantë, – tha Zllatan Ibrahimoviç pas fitores së Kupës së Ligës me Mançester Junajtidin, – kudo ku kam shkuar, kam fituar”. Suedezi në mënyrën e tij ka të drejtë, pasi “kabineti” i tij i trofeve ka tani 32 kupa të ndryshme brenda tij, fituar në pesë nga gjashtë vendet ku ai ka luajtur futboll, veçse nuk dihet sesi do të ndihet trajneri i tij që Ibra i kopjoi shprehjen “Special One”!
Zllatan, në moshën 35-vjeçare, i është afruar gjigandëve të mëdhenj të futbollit si Ksavi, Iniesta, Mesi, Maksuell apo Dani Alvesh. Pikërisht Mesi ka 34 trofe, po aq sa dy brazilianët Maksuell e Dani Alvesh, ndërsa Iniesta është në në të njëjtin nivel me Ibrën, me nga 32.
Suedezi nuk ka fituar vetëm tek Malmo në Suedi, ndërsa ishte gjithnjë i suksesshëm tek Ajaksi në Holandë, Juventusi, Interi e Milani në Itali, Barcelona në Spanjë, Paris SG në Francë dhe Mançester Junajtid në Angli.
Sfidanti.al