Shqipëria në “vendnumëro” në renditjen e FIFA-s, humb 10 pikë pas Ligës së Kombeve

Jemi në “vendnumëro”. Kështu thuhet kur as nuk fiton dhe as nuk humbet pozicione, dhe kështu i ndodhi kombëtares shqiptare në renditjen e FIFA-s. Kuqezinjtë mbeten në vendin e 66-të në klasifikimin botëror të ekipeve përfaqësuese, që u publikua pikërisht sot në 23 qershor nga ana e FIFA-s. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Edi Reja ka 1361.81 pikë, afërsisht 10 pikë më pak sesa në maj, por kjo nuk bëri që të zbriste në renditje. Në qershor, kuqezinjtë luajtën tri ndeshje, duke barazuar 1-1 në fushën e Islandës në Ligën e Kombeve e duke u mundur 1-2 në “Arenën Air Albania”  nga Izraeli, për të njëjtin konkurrim. Sfida e fundit ishte barazimi 0-0 në Tiranë ndaj Estonisë në miqësore. Kosova, nga ana e saj, ka fituar një vend në renditjen e FIFA-s, ndonëse ndodhet shumë më prapa se Shqipëria. Skuadra e trajnerit Zhires është në vendin e 106-të në qershor, në krahasim me të 107-in një muaj më parë. Kosova ka 1183.9 pikë, 10 pikë më shumë sesa në maj.

Sfidanti.al