Tre vjet më parë u bë tmerri i kësaj skuadre. Sadio Mane ishte ndëshkuesi i Bajernit, kur Liverpuli u ndesh me gjermanët në Champions, dhe ndihmoi anglezët të fitonin trofeun, veçse tani bëri rokadën e madhe. Sulmuesi i shquar nga Senegali përfundoi transferimin në Mynih, duke firmosur një kontratë 3-vjeçare deri në 2025. Në moshën 30-vjeçare ai është më i rëndësishmi lojtar që vjen tek Bajerni që kur Robert Levandovski mbërriti në “Alianc Arenë” 8 vjet më parë. “Jam shumë i kënaqur, shumë i lumtur që jam më në fund në Mynih, – tha Mane, – tashmë, mezi po pres sfidat e reja që më presin. Kemi folur shumë me drejtuesit dhe unë isha i lumtur me projektin. Nuk u mendova dy herë, por pranova dhe vendosa që të vija në Mynih”.
Drejtuesit bavarezë nuk mund të mos ishin të kënaqur që iu përgjigjën kështu kritikave të shumta të këtij viti. “Jemi krenarë që mundëm të marrim një sulmues të klasit botëror për 3 vitet e ardhshme deri në 2025”, – u shpreh shefi ekzekutiv, Oliver Kahn. “Gjëja më e bukur në këtë transferim, – tha drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç, – ishte që lojtari që nga minuta e parë deshi vetëm që të vinte tek Bajerni. Kjo na bën të lumtur dhe krenarë”. Bajerni shpreson që me Sadio Manenë të ketë një ekip të aftë për të fituar sërish Championsin. Ylli afrikan e bëri këtë me Liverpulin në 2019, ashtu siç fitoi edhe Premier Ligën në 2020 si dhe dy kupat këtë sezon. Tashmë beson se duhët të shijojë trofetë me bavarezët.
Sfidanti.al