Çelsi tundohet nga 40 milionë euro, por Broja dëshiron të provojë fatin “blu”

E ka provuar një shije të tillë dhe nuk e ka harruar aspak. Pavarësisht shpërthimeve që pati tek Viteshe në Holandë dhe me Sauthemptonin, Armando Broja nuk e harroi kurrë se është lojtar i Çelsit, dhe dëshiron të mbetet në këtë nivel elitar. Sulmuesi i kombëtares shqiptare do të jetë sërish nën urdhërat e trajnerit Tomas Tuhel këtë verë, ashtu siç ishte edhe vitin e kaluar përpara huazimit tek Sauthemptoni, dhe synimi i tij është që të mbrojë pozitat e tij tek Blutë e Londrës. Nga Çelsi sapo është larguar Romelu Lukaku, ndërsa klubi synon lojtarë si Dembelën apo Stërlingun, por Broja shpreson të jetë në atë nivel që Tuheli të mos e largojë. Mediat angleze shkruajnë se vetë 20-vjeçari, ashtu si edhe familja e tij, nuk janë kundër një transferimi në një ekip tjetër në Premier Ligë apo në Serinë A, por vetëm pasi të kalojë prova tek Çelsi.

Po ashtu, londinezët ende nuk kanë vendosur se çfarë duhet të bëjnë. Nga një anë, shqiptari është krijim i Akademisë së klubit, pa kosto dhe i lidhur me fanelën, ndërsa nga ana tjetër mund të jetë e nevojshme që të transferohet për të krijuar të ardhura. Uest Hemi ka bërë ofertë për të me vlerë deri 35 milionë euro, ndërsa besohet se do të ketë bisedime me klube të tjerë në Angli dhe në Itali (Evertoni jep 40 milionë euro), por ndoshta edhe nga ndonjë kampionat tjetër. Broja vlerësohet shumë për faktin se në moshën 20-vjeçare shkëlqeu në Premier Ligë duke shënuar 6 gola, dhe 9 rrjeta gjithsej me Sauthemptonin sezonin e kaluar. Gjithsesi, një rikthim tek Sauthemptoni cilësohet i pamundur.

Sfidanti.al