Asllani ende bisedon me Interin për rrogën dhe vitet e kontratës!

Ata që sakrifikojnë arrijnë majat. Kjo vlen për jetën, po ashtu për futbollin dhe shembulli më i mirë së fundmi është ai i Kristjan Asllanit. Mesfushori 20-vjeçar shqiptar është thuajse me siguri të plotë lojtar i Interit, ndërsa agjenti i tij, Elio Berti, u ndodh në zyrat e klubit zikaltër, ku bisedoi me palët. “Klubet kanë arritur një marrëveshje, – tha ai pasi doli nga selia, – ka gatishmëri të plotë për t’u marrë vesh nga të gjitha palët. Le të shohim ditët e ardhshme. Jemi të gjithë shumë të kënaqur, edhe pse ka shumë skuadra që interesohen. Ende nuk mund të flasim tani për vitet e kontratës. E vërtetë që ka disa klube që interesohen, por më mirë se këtu …”.

Asllani bëri përshtypje gjatë këtij viti, kur u bë titullar me Empolin, dhe arriti të shënonte në Serinë A, në tempullin “San Siro”, madje pikërisht kundër Interit. Zikaltërit nxituan për të fituar ndaj konkurrencës, do ta marrin në huazim një vit për 4 milionë euro, dhe verën e ardhshme do të paguajnë edhe 10 milionë euro të tjera, ndërsa Satriano shkon në huazim tek Empoli. Jeta e djaloshit nga Elbasani i ngjan asaj të shumë shqiptarëve që shkuan fare të vegjël në Itali. Ai kaloi Adriatikun kur ishte 2 vjeç, dhe shpejt u regjistrua në futboll ku nisi të dallohej.

Trajneri i tij i parë, Kristiano Filipi, thotë se në moshën 6-vjeçare Kristjani ishte më i mirë sesa ata që ishin më të mëdhenj e më të fuqishëm sesa ai. Karrierën e nisi me klubin e vogël Buteze Kalço për të vazhduar me ekipet e moshave të Empolit. Historia e dy viteve të fundit është e njohur, dhe futbolli shqiptar e ai italian kanë fituar një protagonist të ri. Gjithsesi, përpara sesa Asllani të jetë lojtar i Interit, klubi duhet të arrijë marrëveshje me të, lidhur me rrogën dhe kohëzgjatjen e kontratës, diçka për të cilën po diskutohet.

Sfidanti.al