Trajneri i të kaltërve nuk është nga ata që alarmohet shpejt, që mërzitet dhe dorëzohet. Roberto Mançini ishte simbol i gjakftohtësisë dhe “urtësisë” edhe pas katastrofës 2-5 të Italisë në fushën e Gjermanisë. Kampioni i Europës e mbajti lart krenarinë edhe i rrëzuar. “Kjo humbje 2-5 nuk zhbën gjithçka të mirë që kemi bërë dhe që do të bëjmë në të ardhmen, – tha ai, – nuk i quaj hapa prapa, por gabime. Luajtëm sërish me shumë të rinj që duhet të mësojnë, me mekanizma që nuk janë automatizuar ende. Gjermania është e fortë dhe di të përfitojë. Kur dëshiron pastaj të barazosh, lë hapësira prapa dhe me këta lojtarë bëhet e vështirë. Kemi një rrugë të gjatë, ku do të bëjmë gjëra të mira e të këqija, por grupi ynë është ende i hapur”. Flet për Ligën e Kombeve, Mançini, me shpresë për vendin e parë, ndërsa kapiteni Donaruma ishte shumë më kritik. “Le ta shohim njëri-tjetrin në sy dhe të premtojmë se nuk do të jemi më kështu”, – tha portieri.
Sfidanti.al