Rroca dhe Ethemi, “margaritarët” e Istanbulsporit që u kthye pas 17 vjetësh në elitën turke!

Në të vërtetë, në ekipin e Ligës së Parë janë 4 shqiptarë, dhe që të gjithë janë të lumtur që realizuan një ëndërr. Istanbulspori fitoi plej ofin e kampionatit të kategorisë së dytë turke dhe sezonin që vjen do të luajë në Superligë. Në ekip janë Eduart Rroca, që është edhe kapiten, Valon Ethemi, Kristal Abazaj dhe shqiptari i Kosovës, Jetmir Topalli. Këtë sezon, Rroca pati shumë probleme fizike që e penguin për të dhënë maksimumin, por gjithsesi ishte një ndihmë e rëndësishme për ekipin. Mesfushori luajti 23 ndeshje gjithsej, nga të cilat 3 në plej of, duke shënuar 5 gola e duke shërbyer 2 asistë. Ai shkëlqeu edicionin e kaluar duke shënuar 9 gola e duke dhënë 12 asistë në 26 ndeshje, e padyshim që ishte lojtari më i mirë i ekipit.

Bashkë me të, tepër i dalluar ishte mesfushori Valon Ethemi, që ka nënshtetësinë edhe shqiptare, por edhe të Maqedonisë së Veriut. Futbollisti 24-vjeçar ishte kontribues i madh në plej of me 1 gola e 2 asistë në 3 ndeshjet e plej ofit, ndërsa në 35 ndeshje të Ligës së Parë pati 6 gola e 8 asistë. Më pak i suksesshëm, Kristal Abazaj i cili në plej of nuk arriti të luante, ndërsa në sezonin e rregullt pati vetëm 5 ndeshje. Tashmë, Rroca dhe shqiptarët e tjerë do të jenë në elitën e futbollit turk, diçka të cilën nuk e arritën për pak vitin e kaluar. Jetmir Topalli ishte i dalluar duke shënuar 9 gola e duke shërbyer 6 asistë në kampionat, e duke luajtur 3 ndeshje në plej of, por pa realizuar.

Sfidanti.al