U përfolën shumë emra, por u vendos për vazhdimësinë. Partizanin do ta drejtojë edhe sezonin e ardhshëm trajneri Dritan Mehmeti, i cili arriti ta bindte presidentin Demi pas një faze të dytë vërtet mjaft të mirë. Nën drejtimin e teknikut 42-vjeçar të kuqtë arritën kualifikimin në Ligën e Konferencës, pra në kupat europiane, diçka që as nuk mendohej në fund të fazës së parë. Mehmeti mori drejtimin e ekipit në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, kur trajneri Ilir Daja u largua pas humbjes së derbit me Tiranën. Pavarësisht problemeve, të kuqtë u ngjitën në tabelë deri në vendin e tretë, menjëherë pas Tiranës e Laçit, ndërsa humbën vetëm 3 nga 25 ndeshjet me Mehmetin në stol. Partizani arriti edhe gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke u eliminuar nga Vllaznia vetëm pas gjuajtjes së penalltive, ndërsa dy ndeshjet përfunduan në barazim.
Besohet se Mehmeti mund të ketë ambicie më të mëdha për sezonin e ardhshëm, pasi do ta drejtojë ekipin në fazën përgatitore dhe pritet që drejtuesit e klubit të bëjnë përforcime sipas dëshirave të teknikut, padyshim edhe sipas mundësive financiare. Gjithsesi, duhet pasur parasysh se tek Partizani kanë qenë të rrallë ata trajnerë që e kanë mbyllur vitin sportiv. Një Starovë, dikur një Duro apo së fundmi një Gegë, ndërsa gjithë italianët erdhën dhe ikën pa lënë gjurmë, ndërsa Daja vërtet e kaloi një sezon, por nuk i mbijetoi tjetrit.
Sfidanti.al