Lëklerku “fluturues” triumfon në prova në Montekarlo, por si do të përgjigjet Maksi “i çmendur”?!

Diferenca në kohë nuk është aspak e madhe, vetëm 3 të dhjetat e sekondës, diçka që mund të vlejë në një xhiro në provat zyrtare, por jo edhe aq në garën e nesërme. Sharl Lëklerk e tregoi sërish veten në prova duke fituar “pole position”-in, ashtu siç bëri në konkurrimin e kaluar në Spanjë, e duke u nderuar në Çmimin e Madh të Montekarlos. Jo më kot ai është qytetar i Principatës. Jo vetëm kaq, por piloti i Ferrarit pati një kombinim tepër të favorshëm të rezultateve, sepse pas tij doli shoku i skuadrës, Karlos Sainz, ndërsa në vend të tretë ishte Sergio Perez. Kampioni i botës, Maks Verstapen, u detyrua të kënaqej me vendin e katërt dhe kjo do të thotë se në nisje të garës do ta ketë shumë të vështirë të bëjë atë që bëri në Barcelonë, të ndajë dy pilotët e Ferrarit, pasi së pari duhet të kalojë shokun e ekipit. Padyshim, Perez do t’i hapë rrugë, por distanca me vendin e dytë është dyfish më e madhe. “Është diçka e veçantë, – tha Lëklerku për garimin në shtëpi, – jam shumë i lumtur. Deri tani ka qenë një fundjavë shumë e mirë, makina ishte shumë e shpejtë dhe ne thjesht duhet të bënim detyrën. Të shohim në garë”. Tashmë pritet se çdo të bëjë “Maksi i Çmendur”.

Rezultatet: Lëklerk 1’11”376, Sainz 1’11”601, Perez 1’11”629, Verstapen 1’11”666.

Sfidanti.al