Për momentin po vërtetohet ajo që po thuhet, ndërsa kampioni i botës në fuqi duket kandidati më serioz për të fituar titullin në Formula 1. Maks Verstapen fiton çdo garë që arrin ta përfundojë, dhe ka humbur vetëm 2 herë këtë sezon, i ndaluar nga defektet e makinës së tij Red Bull. Gjithsesi, në një sezon të gjatë duket se piloti holandez do të mbështetet në klasin, intuitën, përvojën dhe guximin e tij të madh për të qenë trashëgimtari i Ljuis Hamiltonit në skenën botërore të këtij sporti. Fitorja në Çmimin e Madh të Spanjës vërtet u arrit me fat, pasi Sharl Lëklerk u la në baltë nga makina e tij Ferrari, që pati defekt në motor dhe humbi fuqinë gjatë garës. Vetë Verstapen pati një dalje nga pista duke humbur shumë pozicione ndaj Lëklerkut, ndërsa ishte 12 sekonda prapa pilotit nga Montekarlo. Me fitoren në Barcelonë, kampioni i botës ka 6 pikë epërsi ndaj pilotit të Ferrarit, duke kryesuar Botërorin për herë të parë këtë edicion. Verstapen ka 110 pikë ndaj 104 të ferraristit. Red Bulli kryeson edhe renditjen për ekipet me 195 pikë ndaj 169, ndërsa gara e ardhshme është në Montekarlo në 27 maj, pra fundjavën e ardhshme.
Sfidanti.al