Në Itali arrin puna që të thonë se “Milani po çmendet për Asllanin”!

Nuk jemi në kohën e Perandorisë Romake, por logjika e jetës është gjithmonë e njëjtë. Suksesin e arrin vetëm ai që është gati të sakrifikojë më shumë se të tjerët, dhe në epokën e sotme, kur vjen puna tek futbolli dhe sporti, këtë e arrijnë më shumë bijtë e emigrantëve. Në Angli e Francë këtë e kanë ditur me kohë, por Italia po e mëson ndërsa po rriten djemtë e shqiptarëve që kaluan Adriatikun që në fillim të viteve 90-të. Një prej tyre është edhe Kristjan Asllani, ndonëse ai lindi në Elbasan dhe shkoi më vonë në Itali. Gjithsesi, sakrificat dhe talenti bënë punën e tyre dhe Asllani u bë pjesë e Akademisë së Empolit që në moshë të vogël. Siç shkruan “La Gazeta delo Sport”, shqiptari i vogël ëndërronte Serinë A, ndërsa udhëtonte me autobus apo makinë nga shtëpia e tij në komunën e vogël dhe të vjetër të Butit për në Empoli apo Monteboro, ku është qendra sportive e klubit toskan. Nga qyteza me më pak se 6 000 banorë, duke kaluar përmes maleve të Pizës, Asllani u rrit dalë nga dalë derisa sot është kthyer në një realitet në Serinë A. Në moshën 20-vjeçare, “La Gazeta delo Sport” shkruan se Milani dhe Maldini po çmenden për të dhe duan ta bëjnë pjesë të projektit të tyre. Shqiptari është regjisor, është një vrapues dhe është një nga më të kërkuarit në treg për rolin dhe moshën e tij. Të shohim se kush do ta fitojë derbin për të, Milani apo Interi.

Sfidanti.al