Frankfurti fiton Ligën e Europës, Rejnxhërsi bie pas penalltive

Gjermania ka një trofe më shumë në kontinentin e vjetër, ndërsa “Policët” e Gllazgout kanë një dështim më shumë. Në finalen e pestë europiane, Rejnxhërsi u mund në Sevilje nga Ajntrahti i Frankfurtit që triumfoi pas penalltive me shifrat 5-4. Gaboi vetëm një lojtar, Ramsej i skocezëve në 11-metërshin e katërt, ndërsa Borre realizoi golin vendimtar. Ishte pikërisht Borre që kishte barazuar rezultatin në 69’, pasi Rejnxhërsi kaloi në avantazh me golin e realizuar nga Aribo në 57’. Ky është trofeu i dytë i Frankfurtit në Europë, pas Kupës UEFA të fituar në 1980 në dy finalet e mëdha ndaj Borusias së Mynshengladbahut. Rejnxhërsi ka luajtur 5 finale, nga të cilat ka fituar vetëm njërën, në 1972 ndaj Dinamos së Moskës në Kupën e Kupave. Në 1961 humbën finalen ndaj Fiorentinës po në Kupën e Kupave, në 1967 ndaj Bajernit në të njëjtin kompeticion dhe në 2008 u mundën 0-2 nga Zeniti i Shën Peterburgut në finalen e Kupës UEFA.

Finalja ishte shumë e fortë, me skocezët që patën më shumë fushën nën kontroll, por me gjermanët që ishin tepër aktivë dhe të rrezikshëm me stilin e tyre vertikal në sulm. Jo më kot e tentuan 22 herë portën kundërshtare dhe pse vetëm 4 herë në kuadrat, ndërsa britanikët gjuajtën 14 herë dhe gjetën portën 6 herë. Sidoqoftë, Frankfurti duhet të quhet ekipi më i mirë, duke pasur edhe 11 korne ndaj vetëm 2 të Rejnxhërsit.

Ajntraht Frankfurt-Gllazgou Rejnxhërs 1-1 (5-4)

0-1 Aribo 57’, 1-1 Borre 69’

Frankfurti (3-4-2-1): Trap, Tuta (Hasebe 59’), Ture, Ndika (Lenc 100’), Knauf, Sou (Hrustiç 106’), Rode (Jakiç 90’), Kostiç, Lindstrom (Hauge 71’), Kamada, Borre.

Rejnxhërsi (4-2-3-1): Mekgregor, Tavernie, Goldson, Bejsi, Barishiç (Rufe 117’), Xhek (Dejvis 74’), Lundstram, Kent, Rajt (Sakala 74’ (Ramsej 118’)), Kamara (Arfild 90’), Aribo (Sands 101’).

Sfidanti.al