Mesi tek Majemi në 2023?! Magjistari ka detyrim të rivalizojë Ronaldon deri në fund!

Një lajm është përhapur sipas të cilit, argjentinasi do të largohet nga Europa në përfundim të kontratës së tij me Paris SG dhe do të emigrojë në SHBA. Në moshën 36-vjeçare, Lionel Mesi do të zgjidhte klubin e Dejvid Bekamit, Interin e Majemit, ku jo vetëm që do të ishte futbollist, por edhe aksioner pasi thuhet se do të blinte 35 për qind të aksioneve. Nuk dihet sesa e vërtetë është një gjë e tillë, por vetë agjenti i Mesit e hodhi poshtë si pa bazë. Nga ana tjetër, të gjithë ata që e ndjekin futbollin dhe që kanë përjetuar rivalitetin e “Pleshtit” me Kristiano Ronaldo do t’i kërkonin ish-kapitenit të Barcelonës që të vazhdonte konkurrimin në distancë me portugezin për aq kohë sa ky i fundit do të luftonte në nivelet e larta. Jo më kot, Mesi kërkon të jetë lojtari më i madh që ka parë futbolli, ndonëse nuk dihet nëse argjentinasit e tij do të munden ta krahasojnë ndonjëherë me Maradonën.

Sfidanti.al