Dihej prej kohësh se e ka specialitetin e tij. Etrit Berisha ka pritur mjaft penallti në Serinë A, mes të cilave edhe ndaj yjeve të rëndësishëm si Paulo Dibala apo Mauro Ikardi, dhe portieri i kombëtares shqiptare tregoi se nuk ka hequr dorë aspak. Në përballjen e ekipit të tij, Torinos, ndaj Napolit në Serinë A, gardiani kuqezi përsëriti veten duke ndaluar yllin kryesor të miqve, kapitenin Lorenco Insinje. Edhe pse kjo pritje nuk e ndihmoi Torinon sepse napolitanët shënuan në fund me anë të Fabian Ruizit, sërish paraqitje personale për Berishën ishte shumë e mirë. Portieri 33-vjeçar nga Kosova tregoi pas ndeshjes se ishte përgatitur për 11-metërshin. “E kisha studiuar mënyrën sesi Insinje i gjuan penalltitë, – tha Berisha pas ndeshjes, – 5-6 gjuajtjet e fundit ishin të forta dhe në kënd, por gjithsesi isha me fat. Mendoj se luajtëm si të barabartë dhe në pjesën e parë unë isha më shumë spektator. Napoli është skuadra më e fortë që kam parë dhe në pjesën e dytë u bë shumë e vështirë. Duhet të luftojmë që ta kualifikojmë Torinon në Europë”.
Sfidanti.al