Siti fiton ndaj Realit, por rrezikon kualifikimin me naivitetin e përhershëm!

Në fushë ishte skuadra më e mirë përsa kohë ishte e përqëndruar. Mançester Siti pati rastet më të mira dhe ishte vazhdimisht në avantazh, madje edhe me diferencë 2-golëshe ndaj Realit, por “huqet” e përhershme të formacioneve të Pep Guardiolës bënë “lëmsh” gjithçka. Në rezultatin 3-1, pas një nisjeje të shkëlqyer të pjesës së dytë, Siti u kap në kundërsulm nga mesi i fushës, dhe një lojtar i vetëm, Vinisius, ishte në gjendje të driblonte vetëm një lojtar (Fernandinjon) dhe të shënonte “për qejf”. Nuk ishte kjo mënyra e lojës kur je në epërsi 3-1 dhe duhet jo vetëm të mbash rezultatin, por edhe ta thellosh. Në kundërsulm, normalisht, duhej të ishte kapur Reali. Më pas, në shifrat 4-2 pasi Bernardo Silva shënoi në mënyrë të mrekullueshme, Fil Foden bëri “xhibla” pranë zonës së tij të rreptësisë duke humbur topin e duke shkaktuar goditje dënimi.

Më pas, Laporte e preku topin me dorë pa arsye duke i dhuruar penalltinë që Karim Benzema e realizoi në mënyrë të veçantë, me stilin “Panenka”, edhe pse kishte humbur 3 penallti këtë muaj. Opinionistët britanikë e ngritën në qiell ndeshjen, si një spektakël futbolli, por e vërteta është se Siti do të shkojë në fushën e Realit në “Bernabeu” dhe nuk ke asnjë siguri kur shkon me fitoren 4-3. Kjo nuk ekziston ndaj kujtdo rivali, aq më pak ndaj jnë ekipi 13 herë kampion të Europës që ndjen mundësinë për të shkuar në një tjetër finale. A do të mundet Siti t’i përngjajë Çelsit që fitoi në Madrid? Do ta tregojë ndeshja e kthimit, por me këto shifra spanjollët mund ta cilësojnë veten më pranë suksesit.

Sfidanti.al