Reali pranë titullit, por Benzemaja “nuk bën” nga 11 metra larg!

Nuk i kishte ndodhur kurrë që t’i priteshin dy penallti në një ndeshje të vetme, e për më tepër që kjo të ndodhte në vetëm 7 minuta. Karim Benzema provoi një zhgënjim të pjesshëm në stadiumin e Osasunës, aty ku Reali fitoi 3-1 dhe hodhi një tjetër hap drejt titullit. Gjithsesi, ekipi i trajnerit Ançeloti fitoi me gola të të tjerëve, si Alaba, Asensio e Lukas Vaskez, por jo të kapitenit. Sulmuesi francez gaboi në 52’ dhe në 59’, me të dy 11-metërshat të pritur nga portieri i Osasunës, Sergio Herrera. “Herrera-Benzema 2-0”, titulluan mediat spanjolle, që nuk harruan statistikën se kapiteni i Realit ka humbur 4 penallti nga 11 që ka gjuajtur këtë sezon, duke qenë rekordmen i dështimeve. Reali ka 78 pikë në 33 ndeshje ndaj 61 të Atletikos në 33, 60 të Seviljes në 32 dhe 60 të Barcelonës në 31 ndeshje. Mungon vetëm festa, në të cilën do të marrë pjesë padyshim edhe Benzemaja.

Sfidanti.al