Vllazninë edhe e rrahin me arbitra, edhe nuk e lënë të qajë..!

E pyetën një arbitër të Superligës: të pëlqen futbolli që luan Vllaznia? Përgjigja e tij ishte muzeale: “Kur nuk jam në fushë duke arbitruar, pra kur jam në rolin e tifozit, Vllaznia më argëton më shumë se ëdo ekip tjetër”. Edhe një pyetje shtesë për arbitrin e siqertë: po kur je vetë në fushë, pse duket sikur nuk të pëlqen Vllaznia?

Përgjigja është si një vetëtimë në qiell të pastër: “ Nuk jam më unë, por janë të tjerët..” Dhe cilat janë të “tjerët”, këtë e dinë shumë mirë në Shkodër, sidomos në klubin Vllaznia, por aq ia mban kurrizi, që të qahen vetëm për arbitrat, dhe lotët mos shkojnë më lart. Pale tani që po rritin lepurin e frikës për finalen e Kupës…

Paska qënë ditë “feste” për Vllazninë dhe ditë “pushimi” për arbitrat, ajo ndeshja e dytë në Kupë me Partizanin, ku dora e arbitrit Xhaja ishte si pambuk, dhe dora e atyre që kurdisin ndeshjet s’ishte më e zezë, por e bardhë. Sapo filloi kampionati, tamam në ndeshjen e radhës me Teutën, arbitrat sajuan “qokën” e radhës me shkodranët, mu në thellësi të ndeshjes, andej nga minuta “çudibërëse” e 96-ta apo 97-ta…

Kapiteni Gurishta nëpërmjet një postimi pyet ” “ Pse nuk anullohet ky goli i Teutës? Për çdo javë na thoni që të mos flasim …” Si e pësuan në Shkodër, në vend të ulërasin nga maja e Bashkisë dhe nga maja e klubit, presidenti Xhaferri, postojnë protesta futbollistësh në rrjetet sociale. Dhe ky filmi i Superligës, tamam si tek filmi i njohur shqiptar, meriton batutën : na rrahin për hiçmosgjë, por nuk na lënë as të qajmë..

Sfidanti.al