A mund të jetë gjithmonë ai shpëtimtari? Kristiano Ronaldo e tregoi edhe një herë se mbetet një “makinë” për të shënuar gola, pasi realizoi tri herë ndaj Noruiçit. Ishte një fitore tepër e vështirë e Mançester Junajtidit në Premier Ligë, vetëm 3-2 ndaj ekipit të fundit në tabelë, por duke mbetur me shpresa për kualifikim në Champions. Ronaldo arriti 3-golëshin e dytë në një ndeshje për këtë sezon, duke qenë i vetmi numër 7 i “djajve të kuq” që e bën këtë. Ai ka 21 rrjeta këtë edicion në të gjitha konkurrimet dhe 810 gola në karrierë. Për tregolëshin e radhës, Kristiano fitoi në bazë të kontratës 850 000 paundë stërlina, që do të thotë diçka më shumë se 1 milionë euro, ndërsa do të marrë 100 000 euro për çdo gol që do të shënojë deri në fund të sezonit.
Gjithsesi, trajneri Rangnik pati kritika për ekipin. “Ishte një fitore jetësore për ne, – tha ai, – por, ndeshja nuk më pëlqeu. Me rezultatin 2-0 duhej të kishte qenë më e lehtë, veçse ndodhi ndryshe. Ne duhej të ishin mbrojtur më mirë, dhe ishte portieri De Gea që na mbajti në lojë. Nuk mund të varemi gjithnjë nga golat e Ronaldos. Nëse luajmë kështu, është e sigurt se do të humbasim ndaj Liverpulit në ndeshjen e radhës”.
Opinionistët me të drejtë theksuan faktin se yjet zakonisht dështojnë kur vijnë në “Old Traford”, duke marrë shembull Pol Pogbanë, dhe vetëm Bruno Fernandez ka qenë përjashtim në 10 vitet e fundit. Pogba ishte protagonist negativ duke protestuar pasi kapiteni i tij Megajer e goditi pa dashur me shkelm në kokë. Po ashtu, ai reagoi keq kur tifozët e Junajtidit e vërshëllyen në fund të ndeshjes. Nuk dihet nëse golat e Ronaldos do të mjaftojnë që “djajtë e kuq” të kualifikohen për në Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa dështimi do të ishte një katastrofë.
Sfidanti.al