Eliminimi nga Vijarreali në Champions ka bërë që të shpërthejnë kritikat nga të gjitha anët, pakënaqësitë e tifozëve dhe të mediave gjermane, si dhe presioni mbi trajnerin Julian Nagelsman. Gjithsesi, tek Bajerni ka nga ata që mendojnë se disfata ndaj spanjollëve nuk është fundi i botës dhe se ajo ndeshje (1-1 në Mynih) pati edhe gjëra pozitive. Kapiteni Manuel Nojer thekson se “ne patëm 4 raste të pastër për të shënuar dhe ky ishte problemi, kjo solli eliminimin, jo goli i pësuar në fund”. “Në krahasim me ndeshjen e parë, – vazhdoi portieri, – ne ishim dominues dhe mendoj se luajtëm shumë mirë. Na duhej të shënonim golin e dytë”. Edhe mbrojtësi francez Pavar është po i këtij mendimi. “Ne luajtëm shumë mirë, – tha ai, – nuk i lejuam shumë mundësi Vijarrealit, ndërsa patëm mundësi për të shënuar. Ne na munguan golat, jo rastet. Gjithsesi, ky është futbolli dhe ne duhet të vazhdojmë përpara”.
Sfidanti.al