Dallasi humb të parën ndaj Juta Xhazit, Donçiç është sërish në dyshim

Ishte e qartë që mungesa e tij mund të ishte vendimtare, dhe kështu ndodhi. Dallas Maveriksët e humbën ndeshjen e parë të plej ofit, 93-99, ndonëse e luajtën në shtëpi ndaj Juta Xhazit. Luka Donçiç ishte i dëmtuar dhe lojtarët e tjerë nuk ia dolën ta zëvendësonin siç duhet. Branson shënoi 24 pikë, Duajnidi shtoi 22 pikë e 8 asistë, Bullok pati 15 pikë dhe Finej-Smith 14, por sërish ishte pak. Juta Xhazi u udhëhoq nga Donovan Miçëll me 32 pikë, ndërsa Bojan Bogdanoviç shtoi 26 pikë, por qendra franceze Rudi Gober ishte një dështim në sulm me vetëm 5 pikë, edhe pse kapi 17 topa në tabela. Donçiç është në dyshim edhe për ndeshjen e dytë, sipas trajnerit të Dallasit, Xhejzën Kid. “Do ta shohim, – tha ai, – Luka po përmirësohet dhe do të jetë në këtë seri, por nuk e dimë për ndeshjen e dytë”.

Sfidanti.al