Reali i Ançelotit duket me “marsh të pestë”, fitorja në Sevilje ishte një konfirmim!

Nuk dihet nëse do të arrijë ta ndalojë “invazionin” e Europës nga skuadrat e Premier Ligës. Reali i Madridit ka një detyrë të vështirë në Europë për të ndaluar ekipet angleze, pasi pas Çelsit ka punë me Mançester Sitin e në garë është edhe Liverpuli. Nga ana tjetër, përtej sukseseve të deritanishme në kontinentin e vjetër, “merengesit” e Karlo Ançelotit po bëjnë detyrën më së miri në La Ligë. Përtej humbjes fatkeqe 0-4 me Barcelonën, që u duk si disfatë nga një planet tjetër, madrilenët nuk po bëjnë asnjë gabim. Fitorja ndaj Seviljes në fushë kundërshtare ishte nga ato konfirmime që i japin besim lojtarëve, dhe që dekurajojnë kundërshtarët. Sevilja ishte në epërsi 2-0, por Reali pati potencialin dhe mentalitetin për ta përmbysur rezultatin. Rodrigo në 50’, Naço në 83’ (një minutë pasi hyri në fushë) dhe Benzema në 90’+2 ishin “ekzekutorët”.  Përtej polemikave për arbitrat, Madridi e meritoi, pasi pati 58 për qind zotërim topi, pati 11 gjuajtje ndaj 7 të vendasve, dhe 6 në kuadrat ndaj 3 të Seviljes.  Benzema ka 25 gola në La Liga këtë sezon, më mirë se kurdoherë. Edhe pa Mendinë dhe Kasemiron, Reali po shkon i sigurt drejt titullit.

Reali (4-3-3): Kurtua, Karvahal, Militao, Alaba, Lukas Vaskez (Naço 82’), Kros, Kamavigna (Rodrigo 46’), Modriç (Asensio 82’), Valverde, Benzema (Mariano Diaz 90’+4), Vinisius.

Sfidanti.al