Këpucën e Artë ndoshta nuk e fiton dot, por nuk mund t’i thotë kush se nuk e provoi. Xhakomo Vrioni u rikthye protagonist në Bundesligën austriake duke realizuar 2 gola për Tirolin, duke siguruar fitoren, e duke qenë në vendin e dytë në renditjen e shënuesve më të mirë të kampionatit. Shqiptari ka 12 rrjeta, ndërsa i vetmi mbi të është Karim Adejemi, me 16, sulmuesi i shkëlqyer i Salcburgut, të cilin e kërkojnë klubet më të mirë të Europës përfshi Liverpulin e Bajernin. Vrioni realizoi në minutat e fundit në fushën e Ridit, në fitoren me përmbysje 3-2. “Përshëndetje tifozë të dashur, – tha ai pas ndeshjes, – çfarë ndeshjeje, çfarë fitoreje. Jam krenar për këtë ekip. Le të vazhdojmë përpara”.
Paraqitjet e 23-vjeçarit kanë qenë shumë të mira, madje duke tejkaluar çdo parashikim, edhe pse ai është një lojtar i rëndësishëm, kartonin e të cilit e ka Juventusi. Klubi i madh italian e huazoi Vrionin tek Tiroli në Bundesligën austriake për të fituar përvojë dhe minutazh në fushë, diçka që ai po e shfrytëzon më së miri, dhe kjo e ka ndihmuar të jetë pjesë e kombëtares shqiptare. Edhe pse kartoni i tij kushton vetëm 2 milionë euro, rritja duket e sigurt, ndërsa vetë sulmuesi shpreson që të rikthehet tek Juventusi ose të paktën në Serinë A në Itali. Golat e shqiptarit, ndërkaq, janë shumë të rëndësishëm në këtë fazë të sezonit sepse Tiroli rrezikon rënien nga kategoria. Skuadra e tij është në vendin e 4-ët në pjesën që lufton për mbijetesë, duke pasur 18 pikë, vetëm 3 pikë më shumë sesa zona e ftohtë.
Sfidanti.al