Duhej të kishte ndodhur ndryshe të paktën për këtë ndeshje. Në “Parkun e Princave” luhej derbi i Francës në futboll mes Paris SG dhe Olimpikut të Marsejës, por tifozët vendas as nuk e kishin mendjen tek ai. Publiku në stadium nuk bëri zhurmën e zakonshme në mbështetje të yjeve parizienë, dhe sidomos ultrasit kishin hequr dorë nga brohoritjet e fuqishme. Ata nuk e kanë harruar eliminimin zhgënjyes përballë Realit në Champions, kur ekipi i tyre iu afrua suksesit dhe u shkërmoq në fund në “Bernabeu”. Nuk u bëri shumë përshtypje tifozëve fakti që PSG fitoi 2-1 ndaj Marsejës me golat e shënuar nga Nejmar dhe Mbape, dhe që titulli në Francë është vetëm 1 hap larg. Kilian Mbape arriti në 31 gola e 20 asistë këtë sezon, por as kjo nuk i entuziazmoi tifozët sepse ata e dinë që sulmuesi me shumë gjasë do të shkojë në Madrid e nuk do ta kenë më mes tyre.
Sfidanti.al