Guardiola e lavdëron Simeonen, por argjentinasi sheh një prapamendim

Këta dy burra vështirë të jenë miq apo shokë, vështirë të shkojnë mirë apo ta honepsin njëri-tjetritn. Pep Guardiola dhe Diego Pablo Simeone cilësohen si “polet e kundërta” në futboll, dhe për këtë ngacmohen gjithnjë nga mediat. Guardiola u ngacmua se përse e kritikoi Atletikon si tepër mbrojtjëse pas ndeshjes së parë që Siti e fitoi 1-0. “Unë nuk e kam kritikuar kurrë Atletikon, – tha ai, – unë kam thënë se kur një ekip mbrohet fort dhe me shumë lojtarë, është i vështirë për t’i shënuar gol. Padyshim që e respektoj Simeonen, dhe nuk prisja asgjë tjetër përveç kësaj që ndodhi. Këtë herë, Atletiko luajti një ndeshje krejt të ndryshme, shumë më agresive dhe sulmuese”.

Gjithsesi, as ky lloj vlerësimi nuk ishte i mjaftueshëm që Simeone të qetësohej dhe ta pranonte pa kushte. Trajneri i Atletikos së Madridit e përgëzoi Sitin dhe Guardiolën për kualifikimin duke i cilësuar “kundërshtarë të jashtëzakonshëm që shënojnë 3 gola për ndeshje dhe që ishin më të zotë”. Gjithsesi, kur erdhi puna te Guardiola, ai duket se bëri një “shigjetim”. “Shiko, ka diçka, – tha argjentinasi, – njerëzit që dinë të flasin shumë mirë, shumë bukur, dhe që janë shumë të zgjuar, ndodh që të të lavdërojnë me një lloj përçmimi. Gjithsesi, edhe ne që flasim më pak nuk është se jemi budallenj”.

Sfidanti.al