Kur ke “diamantë” si Abraham dhe Zaniolo, Murinjo i afrohet një tjetër Kupe!

Natyrisht duhet që ta lejojë Leisteri, pasi skuadra angleze është treguar shumë e fortë dhe me trajnerin Brendon Roxhers mund të bëjë thuajse gjithçka. Gjithsesi, Roma është ekipi i momentit në Ligën e Konferencës sidomos pas fitores 4-0 ndaj Bodo Glimtit të Norvegjisë, duke i dhënë fund vuajtjeve ndaj këtij ekipi. Pas katastrofës 1-6 në ndeshjen e parë në grupe, barazimit në ndeshjen e dytë në “Olimpiko” e pastaj humbjes 1-2 në Skandinavi një javë më parë, u desh forma e shkëlqyer e dyshes Abraham-Zaniolo për t’ia dalë. Një gol i anglezit dhe 3 të italianit ishin mënyra më e mirë për të fituar, dhe Zhoze Murinjo po i afrohet një tjetër kupe, një titulli që nuk e ka fituar kurrë sepse është në edicionin e parë, Ligën e Konferencës. E ka bërë me Championsin dhe me Ligën e Europës. “Ishim superiorë në çdo drejtim, – tha portugezi më pas, – le ta ngremë lart flamurin italian në Europë”. Roma është e vetmja skuadër italiane e mbetur në konkurrimet kontinentale këtë sezon.

Liga e Konferencës

Roma-Bodo Glimt 4-0 (1-2), PSV Ajndhoven-Leister 1-2 (0-0), PAOK Selanik-Marsejë 0-1 (1-2), Sllavia Pragë-Fejënord 1-3 (3-3).

Gjysmëfinalet, 28 prill e 5 maj: Leister-Roma, Fejënord-Marsejë.

Sfidanti.al