O president i Dinamos! Cilët janë palaçot, futbollistët apo “arkitektët”?

Dy pyetje që driblojnë njëra- tjetrën lidhur me fatin e Dinamos. E para: po ikën poshtë Dinamo? Kurse e dyta: pse kur erdhi Dinamo? Ishte një ëndërr apo një fantazëm që kishte brenda 11 vetë. Sado e rëndë të ketë qënë fanella e Dinamos së madhe, ajo nuk është kaq magjike, saqë kushdo që ta veshë , edhe më anonimët e topit, që të na besohet sikur po shohim trashëgimtarët e vërtetë të “zotave blu”.. Pernaskës, Zërit dhe Ballgjinit.

Kjo Dinamo që po na shohin sytë, ishte një Dinamo e trukuar qysh në lindjen e saj.Dhe çdo javë që ka kaluar ka qënë një provë e gjallë e një dështimi të mirëorganizuar, ku “arkitektët” e veprës së keqe paskan privilegjin të mbeten akoma anonimë.Paskan kanë hedhur ne erë miliona dhe s’kanë emra. Kjo mund të pagëzohet edhe pabythësi e kesaj Dinamo ,kur edhe ditën e skajshme të zemërimit, presidenti Bardhi, çfarë nuk artikulon nga goja, por emrat që gatuan çorbën mbahen fort në kasafortë, kurse milionat dolën ..rrugëve!

“Ky sezon është një dështim, e pranoj dhe pikë. Është ajo që e kam thënë edhe më herët për ju, se është shpërdoruar besimi im. Kjo skuadër nuk ka dinjitet, nuk ka karakter, këta janë lojtarë palaço. Është një dështim me kosto, por çfarë t’u bëjmë atyre që e ndërtuan skuadrën…?”

Nëse futbollistët qënkan palaço, i dashur president debutues, cilin epitet fyes do të meritonin …ata që ndërtuan skuadrën tënde dhe s’paske çfarë t’u bësh!? Kjo është sikur hajduti të të fusë dorën në xhep dhe t’i thuash: të shkoftë mbarë! Një president klubi , s’mund të qahet vetëm për futbollistët, kur ka gabuar ndjeshëm në misionin dhe në lojën e tij. Pale kur kujton një ditë unikale, kur ia plasi publikisht : ma kanë marrë peng ekipin?

Sfidanti.al