Siti-Liverpul ishte reklama e Premier Ligës, titulli mbeti në mes

Ndershmërisht, skuadra kampione ishte diçka më mirë, pati më shumë sulme dhe raste për gol, dhe nëse do ta kishte fituar ndeshjen, nuk do të kishte vjedhur asgjë. Gjithsesi, Pep Guardiolës i ndodhi sërish siç i ngjan shpesh, jo gjithmonë merr frytet e lojës që prodhon. Mançester Siti barazoi 2-2 me Liverpulin në stadiumin “Etihad” në sfidën e madhe të Premier Ligës, që e la plotësisht të hapur çështjen e titullit, ndonëse “qytetarët” mbeten favoritë. Siti pati më shumë zotërim topit (55%), më shumë gjuajtje (10-4), por pati më shumë ekuilibër në gjuajtjet në kuadrat (5-4). Lojtarë si De Brujn, Kanselo, Gabriel Zhezus, Mahrez, Foden, Uolker apo Bernardo Silva patën mundësi më shumë sesa Zhota, Salah apo Mane, megjithatë Liverpuli bëri po aq shumë për spektaklin, në një ndeshje të hapur dhe sulmuese.

De Brujn kaloi në epërsi Sitin në 5’, Zhota barazoi në 13’, Zhezus kaloi sërish vendasit përpara në 37’ dhe Mane barazoi me të nisur pjesa e dytë. Të dy trajnerët, Guardiola e Klop, e cilësuan ndeshjen një reklamë për kampionatin anglez, dhe paten të drejtë. Mançester Siti kryeson Premier Ligën me 74 pikë në 31 ndeshje, ndërsa Liverpuli ka 73 me po kaq sfida. Të kuqtë kanë golaverazhin më të mirë, me +5 gola më shumë, ndërsa të dyja përballjet mes gjigandëve kanë përfunduar 2-2.

Sfidanti.al