Mesi shkëlqen në Francë me asistet, askush si ai në histori

Ishin Kilian Mbape dhe Nejmar që morën qendrën e skenës, të paktën për një moment, sepse shënuan golat në fitoren 6-1 të Paris SG në fushën e Klermonit. Tre nga Mbape dhe dy nga Nejmar. Gjithsesi, ai që u lavdërua po aq shumë, e ndoshta edhe më tepër, ishte Lionel Mesi që shërbeu 3 asistë. Superylli argjentinas ka marrë në Paris atë rol që mund të vazhdojë ta bëjë më mirë se kushdo tjetër, ndërsa skema e lojës dhe prania e Mbapesë nuk e lejojnë që të shënojë me ritmet që kishte tek Barcelona. Mesi u bë i pari lojtar që jep 3 asistë në dy ndeshje të një sezoni në Ligën e Parë të Francës. Në vetëm 18 ndeshje, ai ka 16 kontribute për golat e PSG-së, që do të thotë ka shënuar vetë ose ka shërbyer asistin. Ndërkaq, argjentinasit i duhen edhe 5 asistë për të arritur rekordin e një sezoni në Francë, që është 18, ndonëse ka luajtur vetëm 20 ndeshje. Tifozët në rrjetet sociale thonë se Mesi është lojtari më i madh i të gjitha kohëve, që organizon lojën si askush tjetër, dhe që ka shënuar mbi 750 gola në karrierë. Ai ka 401 asistë në jetën e tij sportive, si askush tjetër më parë.

Sfidanti.al