Tek Reali presin Mbapenë, por PSG i ofron 280 milionë vetëm vitin e parë

Shifrat janë të tilla që mund të cilësohen çmendur apo të pabesueshme, por megjithatë është e qartë që Paris SG po bën ç’mos për ta mbajtur Kilian Mbapenë. Reali i Madridit e pret në verë kampionin e botës në Madrid, por presioni financiar për francezin është i madh. Plot 180 milionë euro do t’i jepen 23-vjeçarit vetëm për firmën, një lloj shpërblimi i krijuar vitet e fundit dhe që duket se nuk do t’ia dijë për rregullat e Lojës së Ndershme Financiare të UEFA-s. Përveç tyre, Mbape do të fitonte 25 milionë euro rrogë “neto”, pra pas pagesës së taksave, që do të thotë se shifra totale do të jetë rreth 50 milionë euro. Njerëzve të Mbapesë (agjentit, këshilltarëve, familjes) do t’i jepeshin 50 milionë euro të paktën. Një paketë e tillë është 280 milionë euro vetëm në sezonin e parë, ndërsa do të shtohej me 50 milionë euro të tjera çdo sezon që kalon. Gjithsesi, PSG duket se do të pranojë që Mbapeja të vendosë në të ardhme për fatin e tij, dhe kohëzgjatja e kontratës nuk pritet të jetë më e madhe se deri në 2024.

Sfidanti.al