De Brujne: Ndaj Atletikos më e mira e mundshme, mezi presim Liverpulin!

Ishte njeriu që e zgjidhi sfidën me golin e tij, ndonëse topi i erdhi nga njëri nga lojtarët më të mirë anglezë të këtij brezi, Fil Foden. Kevin De Brujne vazhdon të jetë vendimtar për Mançester Sitin, pavarësisht se mjaftoi vetëm për një fitore minimale ndaj Atletikos në Champions, rezultat 1-0 që nuk garanton asgjë në Madrid. “Në pjesën e parë e patëm të vështirë, nuk kishte fare hapësira, – tha De Brujne, – pas pushimit arritëm të krijonim nja dy raste dhe ia dolëm të shënonim një gol. Ishte shumë e vështirë, sepse Atletiko pati 5 lojtarë në mbrojtje dhe 5 në mesfushë. Duhej të kishim shumë durim dhe përqëndrim. Ky rezultat është ai që mundëm të merrnim, dhe edhe ndeshja tjetër do të jetë e tillë. Ky është stili i tyre, edhe pse në Madrid do të duhet të sulmojnë pak më shumë”. De Brujne komentoi edhe sfidën ndaj Liverpulit të dielën në Premier Ligë. “Ka edhe 5 ditë deri të dielën, – tha ai, – edhe ne, edhe Liverpuli luajtëm sonte. Kushdo mezi e pret ndeshjen e madhe”.

Sfidanti.al