Për herë të fundit në këtë pozicion kanë qenë në javën e 29-të të sezonit të kaluar. Sot janë në vend të dytë në javën e 29-të të edicionit që po zhvillohet (marrim për bazë vetëm ndeshjet që ka zhvilluar ky ekip). Barcelonës iu desh plot 1 vit për t’u ngjitur në vend të dytë, dhe kjo tregon sesa poshtë kishte rënë skuadra e madhe, dhe sesa punë të vështirë i është dashur të bëjë, dhe do të jetë i detyruar të bëjë trajneri Ksavi Hernandez. Në “Kamp Nou”, ekipi i tij mundi 1-0 Seviljen pas një ndeshjeje shumë të ndërlikuar dhe që deshi shumë durim. Pedri shënoi një gol të shkëlqyer nga jashtë zone, i dyti i tillë këtë sezon nga 5 që ka realizuar dhe duke vulosur fitoren në 73’. Barça këmbënguli me Pedrin, Ferran Torresin apo Dembelenë, dhe në fund ia arriti qëllimit.
Ksavi bëri pak ndryshime, 3 nga 5 të mundshme, edhe pse kishte në stol edhe Erik Garsinë, Lenglenë, Mingezën, Puigun, Adama Traoren dhe Brejtuejtin. Trajneri e di se duhet të mësohet edhe me fitore të tilla, të ngushta dhe të vështira, por gjithsesi të merituara. Ishte skuadra e tij që bëri më shumë, ndonëse Sevilja e mbajti topin jo pak, 45 për qind, dhe bëri 468 pasime, vetëm rreth 90 më pak sesa vendasit. Gjithsesi, “blaugranët” dominuan në fazën ofensive dhe ishin më konkretë. Të besuarit e Ksavit bënë 19 gjuajtje (8 miqtë) dhe 6 në kuadrat (3, Sevilja). Ata patën kornet 9-2, dhe kjo tregon diçka. Me 57 pikë, Barça del në vendin e dytë në La Ligë duke pasur po aq pikë sa Sevilja, por me një ndeshje më shumë për të luajtur. Nëse e fitojnë edhe atë, atëherë diferenca me Realin do të ngushtohej në 9 pikë, ndonëse në garë mbeten vetëm 24 pikë dhe nuk besohet se madrilenët do ta rrezikojnë titullin këtë vit.
Barcelona (4-3-3): Ter Shtegen, Dani Alvesh, Arauho, Pike, Zhordi Alba, De Jong (Gavi 74’), Buskets, Pedri, Dembele (Niko 90’), Obamejang (Depai 81’), Ferran Torres.
Sfidanti.al