Myrto Uzuni vendimtar në barazimin e Granadës ndaj Vajekanos së Balliut!

U desh të hynte në fushë në minutën e 60-të që ekipi i tij të kuptonte se kishte ende shpresë. Myrto Uzuni u la fillimisht në stol nga trajneri i Granadës për ndeshjen e La Ligës në shtëpi kundër Rajo Vajekanos, veçse me rezultatin 0-2 nuk kishte më asgjë për të humbur. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, zëvendësoi Kinin (Quini) dhe menjëherë krijoi golin e parë në 66’. Topi i hedhur në zonë nga ai nuk u kontrollua nga Mario Suarez dhe Herman (German), ndërsa Horge Molinae dërgoi në rrjetë. Në minutën e dytë shtesë, Granada fitoi penallti dhe Milla barazoi, ndërsa në 97’ Uzuni dha një harkim të përsosur në zonë ku Milla goditi topin me kokë duke e dërguar në traun e portës. Ivan Balliu (në foto) gjithashtu ishte i rëndësishëm për Rajo Vajekanon dhe ishte aksioni i tij me Isin që krijoi golin për 0-2 në 17’. Barazimi 2-2 bën që Vajekano të jetë në vendin e 13-të me 33 pikë dhe Granada në të 16-in me 29, duke qenë vetëm 3 pikë mbi “zonën e ftohtë” që të zbret në kategorinë e dytë.

Sfidanti.al