NBA, Feniksi fiton në shtëpinë e Golden Stejtit, vendor rekordin historik!

Nuk dihet nëse do të jetë sezoni i duhur, por ka kohë që ky ekip nuk ka qenë kaq lart. Feniks Sans barazoi rekordin historik të klubit në NBA me fitoren në fushën e Golden Stejtit, duke qenë po aq lart sa dikur në epokën e Çarls Barklit. Suksesi në San Francisko ishte 107-103, në një ndeshje të fortë, që u duk si një sfidë përcaktuese në plej of, ashtu siç mund të ndodhë më vonë. Kjo ishte fitorja e 62-të e sezonit, ndërsa janë pësuar 14 humbje, vetëm 5 më shumë sesa rekordi i NBA-së.

Devin Buker shënoi 22 pikë, duke pasur edhe 5 topa në tabela, Kris Pol kontribuoi me 15 pikë e 8 asistë, ndërsa Deandre Ejton ishte në nivelin 22 pikë e 16 topa në tabela. Feniksi ka një pesëshe titullare në nivel shumë të lartë, që këtë herë shënoi shumicën e koshave, por edhe 4 lojtarët e stolit realizuan 22 pikë. Miqtë ishin disi me fat sepse basketbollisti kryesor i vendasve, Stef Kërri, nuk luajti për shkak dëmtimi.

Edhe pse Xhordan Pul pati një mbrëmje të madhe me 38 pikë, kjo sërish nuk mjaftoi, ashtu si edhe përpjekjet e kapitenit Tompson, të Drejmond Grinit apo Uiginsit. Feniksi është nënkampion në fuqi i NBA-së, ndërsa e ka siguruar vendin e parë në plej of, qoftë edhe në Konferencën Perëndimore, qoftë edhe në renditjen totale të kampionatit. Ndoshta skuadra nga Arizona mund ta fitojë më në fund titullin e saj të parë në histori.

Sfidanti.al