Presidenti Duka profet me Spanjën, Gjeorgjinë e mbajti.. sekret!

Ç’ishte ky fat ! Na u shfaq “magjistari” kuqezi, presidenti Duka, para ndeshjes me Spanjën dhe na qetësoi 7 shpirtërat me profecinë e tij: “ Këtë herë nuk do të gabojmë si me Anglinë”. Na u faneps menjëherë, ajo pamja e pazakontë në Angli, kur presidenti ynë kishte zbritur thellë në tunelin e futbollistëve me një pamje hallemadhe. Dhe ajo që ndodhi me Spanjën , e tejkaloi parashikimin e tij: ne gabuam shumë më pak se në Angli, bëmë vetëm një gabim të “vogël” tek goli i parë i tyre, por edhe Spanja nuk mbeti mangët, u kujdes për të gjitha,madje edhe për golin tonë.. në portën e saj.

Pyetja që vlen më shumë se 1 milion : ku e di presidenti ynë se kur do të gabojmë shumë dhe kur do të gabojmë më pak! Sa ironike për trajnerin Reja që ka një trajner tjetër mbi kokë, që i lexon ndeshjet qysh në ajër! Po për ndeshjen me Gjeorgjinë, pse nuk u shfaq prapë profeti, dhe të na tregonte se kjo miqësore do të kishte gabime, ndryshim formacioni pa hesap, por nuk do të kishte gola. Apo se ndeshja me Spanjën na duhej për të shitur mend, kurse kjo tjetra na duhej për të shitur..bileta!

Dhe më e bukura, skema me Brojën: nga i braktisuri më i madh në ndeshjen me Anglinë, këtë herë iu caktua një rol special, që të ndihmonte “biletashitësit e panginjur”, duke i bërë thirrje tifozëve që të mos humbisnin rastin pa parë ndeshjen me Gjeorgjin. E bëri “golin” tek bilatat, e mbushi stadiumin më shumë se sa meritonte kjo miqësore , më pas e larguan nga fusha shpejt pa marrë lavdinë e zakonshme, sepse na kishte qënë i dëmtuar…

Metamorfoza e tollumbacit kuqezi është unikale: fryhemi me Spanjën kur humbasim ndeshjen dhe shfryhemi me Gjeorgjinë pas një barazimi. Një barazim që na kujton një skenar të vjetër, i cili tregohet si përrallë me top në anët tona,sidomos kur thonë se vuajmë me ekipet e vogla. Madje e dimë qysh para ndeshjes, prandaj dhe nuk u shfaq profeti . Dhe thonë tani: ndeshje e thatë me gola e varfër në rrjedhë, por ishte e pasur me intriga : u “revolucionarizua” formacioni plotësisht, mbeti si hudhër, për të prishur syrin e keq, vetëm kapiteni Hysaj…

Sfidanti.al