Ne, “heronjtë” e Katalonjës, ndërsa Gjeorgjia na pret te dyert e “Air Albania”

Paraqitja e Kombëtares në miqësoren e Barcelonës ka entuziazmuar publikun, por ndërkohë po përdoret edhe si alibi për gjithçka ka ndodhur më parë. Broja tani po trajtohet me përkujdesje si djali i shtëpisë, megjithëse deri pak muaj më parë mëkatuan me të, madje pa i marrë parasysh as moshën. Ndërsa për efektet e gjyqeve të humbura të federatës nuk flitet më askund, pasi është hedhur për t’u luajtur karta e patriotizmit. Mesazhi është, se tani kemi ndryshuar rrënjësisht në futbollin e luajtur dhe topi nuk mund të ndalet me vendim gjyqi.

Dhe në fakt diçka vërtetë ka ndryshuar. Nuk dihet se kush ka mbetur i pezulluar nga të dy shkallët e gjykatës, me të drejtë firme për shpenzime, por Kombëtarja e Rejas, së bashku me një grup të madh mbështetës u grumbulluan në Spanjë, gati një javë përpara miqësores së zhvilluar në stadiumin e Espanjolit. Madje edhe pas ndeshjes, përgatitjet e fundit për takimin e së martës i zhvilluan po atje ku u mburrën për humbjen dinjitoze.

Ndërkohë që ditën e djeshme, ndërkohë që trajneri ynë mallkonte arbitrin maltez dhe mungesën e sistemit VAR, Kombëtarja e Gjeorgjisë është duke na pritur rreth 30 kilometra larg stadiumit “Air Albania”, për të na sfiduar në ndeshjen e sotme. Pra, ndërsa tanët, me rezistencën që i bënë magjistarëve të topit, po e trajtojnë veten si heronjë të Katalonjës, gjeorgjianët modestë kanë udhëtuar për 2800 kilometra, për t’u akomoduar në Durrës.

Tingëllon pak si ironike, kur federata i kërkon nga spanja gazetarëve të hidhen një herë nga hoteli në plazh, ku ndodhet Vili Sanjol me skuadrën e tij, për ta respektuar me praninë e tyre në konferencën e tij të shtypit dhe Broja që tashmë është zgjedhur si imazh, t’u bëjë thirrje tifozëve nga Spanja që të jenë të pranishëm në stadium, për t’i mbështetur edhe ndaj Gjeorgjisë. Ndërkohë që Armando futbollisti,jo ai biletave, as që e ka idenë që çmimet e biletave edhe për këtë ndeshje janë në sinkron me çmimet e naftës, pavarësisht kundërshtarit modest që na pret.

Sfidanti.al