Maqedonasit e shqiptarët eliminojnë Italinë, Të Kaltrit sërish jashtë Botërorit!

Nëse ajo që ndodhi në 1966 me Korenë e Veriut cilësohet si kulmi i turpërimit të katër herë kampionëve të botës, historia tani duhet ndryshuar. Italia mbeti për të dytën herë radhazi jashtë finaleve të Kupës së Botës, por kjo nuk ndodhi nga një Portugali e Kristiano Ronaldos, veçse nga një “Hirushe” si Maqedonia e Veriut. Një ekip i përbërë nga maqedonas sllavë dhe shqiptarë realizuan një nga të papriturat më të mëdha të të gjitha kohëve, dhe kjo falë mbrojtjes së fortë dhe golit të shënuar nga Aleksandar Trajkovski në 90’+2. Në stadiumin e Palermos, me uniformën e Maqedonisë së Veriut ishin shqiptarët Arijan Ademi, Enis Bardhi, Musliu dhe Ezgjan Alioski.

Kampionët e Europës në fuqi do ta shohin Botërorin nga shtëpia, edhe pse patën 22 gjuajtje ndaj vetëm 4 të miqve. Trajneri Roberto Mançini pati disa mungesa, që nga Bonuçi e Kielini, e Di Lorenco, por gjithsesi potenciali i të Kaltërve ishte i tillë që nuk mund të justifikohen. Pas eliminimit nga Suedia në Rusi 2018, vjen një tjetër dështim. Ndoshta, eliminimi nga Euro 1984 mund të cilësohet më i keq, pas vendit të parafundit në grupin me Rumaninë, Çekosllovakinë, Suedinë dhe Qipron.

Italia: Donaruma, Florenci, Xhanluka Mançini (Kielini 90’), Bastoni, Emerson, Barela (Tonali 77’), Zhorginjo, Verrati, Berardi (Zhoao Pedro 89’), Imobile (Pelegrini 78’), Insinje (Raspadori 64’). Tr. Roberto Mançini

Maqedonia e Veriut: Dimitrievski, S. Ristovski, Velkovski (Ristevski 86’), Musliu, Alioski, Çurlinov, Ademi (Ashkovski 58’), Bardhi, Nikolov (Spirovski 58’), M. Ristovski (Miovski 72’), Trajkovski. Tr.

Rezultatet:

Itali-Maqedoni e Veriut 0-1, Portugali-Turqi 3-1, Uells-Austri 2-1, Suedi-Republika Çeke (pas kohës shtesë).

Sfidanti.al