Embijd shkëlqen në LA, por Lebron Xhejmsi nuk ishte në “takim”!

Nuk ishte ndeshja e tyre më e mirë, dhe pse u fitua në fushë kundërshtare. Gjithnjë është bukur kur ia del në Arenën e Lejkërsave, veçse Filadelfia triumfoi 126-121 duke pasur formacionin të plotë, ndërsa vendasit kishin mungesa themelore. Zhoel Embijd dhe Xhejms Harden dominuan përballjen në prani të rreth 20 000 shikuesve, kurse përballë tyre nuk ishte Lebron Xhejmsi. Legjenda u la pushim nga Lejkërsat pas ngarkesës së madhe në ndeshjet e fundit, ndërsa në parket nuk ishte as ylli tjetër, Entoni Dejvis, që mbetet i dëmtuar. Për më tepër, edhe Lebroni ka probleme me gjurin.

Embijd shënoi 30 pikë dhe kapi 10 topa në tabela, e në krah të tij Hardeni shtoi 24 pikë, 7 topa në tabela e 7 asistë. Pavarësisht nga mungesat e vendasve, sërish suksesi i Filadelfias nuk mund të nënvleftësohet, edhe pse mbrojtja la shumë për të dëshiruar. Ky ekip e ka treguar se ia del edhe pa Embijdin e Hardenin, siç ndodhi në sfidën e kaluar ndaj Majemit. Me gjasë, ekipi nga kryeqyteti i parë i Shteteve të Bashkuara do të luftojë për titullin duke qenë në vend të dytë në Konferencën Lindore, ndërsa Lejkërsat vazhdojnë sezonin negativ, në vendin e 9-të në Perëndim, me vetëm 31 fitore e plot 42 humbje.

Sfidanti.al