Igli Tare mes Lacios, Juventusit, Frankfurtit dhe Lajpcigut!

Më shumë se kaq vështirë të fitonte. Igli Tare është vlerësuar shpesh si një nga drejtuesit e futbollit më të mirë në Itali, por epokës së tij tek Lacio po i vjen fundi. Me klubin e Serisë A në vështirësi financiare, dhe me një çarje që është krijuar mes tij dhe trajnerit Mauricio Sarri, rrugët e të dyja palëve po ndahen. Për Taren, besohet se ka interesim nga Juventusi në Serinë A, si dhe nga Lajpcigu dhe Ajntrahti i Frankfurtit në Bundesligën gjermane. Si drejtor teknik, shqiptari ka 13 vjet që punon tek Lacio, pra që nga 2009-ta, ndërsa në 2008-ën ishte menaxher i përgjithshëm i klubit për një sezon. Gjatë kësaj periudhe u fituan dy Kupa dhe dy Superkupa të Italisë, ndërsa ekipi i kryeqytetit italian u bë i përhershëm në kupat e Europës. Maksimumi u arrit me kualifikimin për në fazën e grupeve në Champions, që ishte hera e parë për Lacion pas 13 vjetësh.

Gjithsesi, ky sezon nuk është aspak pozitiv, siç e tregoi edhe disfata e rëndë 0-3 në derbin ndaj Romës në stadiumin “Olimpiko”. Gjithsesi, Juventusi vlerëson se Tare do të ishte drejtori sportiv ideal për rindërtimin e skuadrës, që kërkon të rikthehet si superfuqi në Itali dhe në Champions. Frankfurti dhe Lajpcigu janë me shpresë edhe sepse shqiptari 48-vjeçar e njeh Gjermaninë, meqë ka luajtur për disa sezone atje. Sidoqoftë, nuk përjashtohet as mundësia e një rinovimi me Lacion deri në vitin 2025.

Sfidanti.al