Me 1 miliardë euro humbje, e 3.4 miliardë euro borxhe, Seria A kërkon një “revolucion”!

Antonio Konte, Paulo Dibala, Romelu Lukaku, Kristiano Ronaldo dhe lista do të vazhdojë. Nga Seria A janë larguar dhe po largohen të gjithë yje “shtegtarë”, të cilët jetojnë për “bukurinë kalimtare”, për rrogën dhe shkëlqimin e karrierës për aq kohë sa kanë fuqi të luajnë futboll në nivele të larta, përpara sesa të shkojnë në Gjirin Persik apo në SHBA. Arsyeja është tepër e thjeshtë, Seria A po varfërohet, ashtu si e gjithë Italia. Një shkrim hetimor (investigativ) nga “La Gazeta delo Sporti” nxjerr përfundimin se në 2020-2021 humbjet e 20 klubeve ishin rreth 1 miliardë euro. S’ka çudi, përderisa vetëm Juventusi ishte në -200 milionë euro! Një sezon më herët, në 2019-2020 “gropa” ishte deri në 754 milionë euro. Në total, borxhet e grumbulluara nga Seria A janë 3.4 miliardë euro, dhe jo më kot e përditshmja me letrën ngjyrë rozë nxjerr përfundimin se “nëse Seria A do të ishte një biznes normal, atëherë do të kishte shkuar në gjykatë për falimentim”. Ne do të shtojmë vetëm një fjali që e ka thënë Roberto Saviano: “Jugu i Italisë është bërë aq i varfër saqë edhe Mafia po ikën në emigracion”. Mesa duket, jo vetëm Jugu …

Sfidanti.al