Me vitet që ka mbi vete parashikohej të fitonte ende shumë. Eshli Barti, kampionia në fuqi e Australian Openit dhe numri 1 i botës për femra, tronditi gjithë botën e tenisit duke deklaruar largimin nga sporti. “Dua që t’iu them juve, t’u them njerëzve të mi të afërm, tifozëve, se unë po tërhiqem nga tenisi, – tha ajo – Është e vështirë të thuhet, por unë jam shumë e lumtur dhe jam shumë gati, dhe e di se ky është momenti, e ndjej me zemër se kjo është e drejtë. E kam lënë tenisin edhe më parë, por tani është ndryshe. Jam shumë mirënjohëse për atë që tenisi më ka dhënë, më ka realizuar të gjitha ëndrrat, por unë e di se tani është koha e duhur për mua që të largohem”.
Vajza australiane është vetëm 25 vjeç, një moshë që për epokën e sotme mund të cilësohet vetëm gjysma e karrierës apo më pak. Arsyeja e largimit të Bartit është se ajo ndihet e lodhur fizikisht, besohet edhe nga ana psiqike, dhe ndjen se nuk ka se çfarë të japë më shumë. Tenistja nga Kuinslendi ka arritur suksese të rëndësishme, edhe pse e la një herë këtë sport kur ishte 17 vjeç për t’u kthyer dy vjet më vonë. Ajo ka dalë kampione në Rolan Garos të Parisit në 2019, në Uimbëlldon në 2021 dhe këtë vit në Australian Open në Melburn, duke u bërë e para teniste vendase që fiton Grand Slemin në 44 vjet. Eshli Barti ishte e veçantë edhe sepse origjina e saj vjen nga banorët autoktonë të kontinentit australian, që kanë jetuar aty shumë kohë përpara mbërritjes së europianëve.
Sfidanti.al